Bukuria e këngës shqipe vezullonte në interpretimin e artistes Xhejlane Broqit

Written by on 19. January 2020

Nga Akil KOCI
”Gjykimi estetik mbi të bukurën, sipas Kantit u shkakton kënaqësi estetike të gjithëve, pavarësisht janë apo s’janë artistë, janë të arsimuar apo s’janë, kanë njohuri shkencore apo s’kanë, sepse soditja e bukurisë nuk e nënkupton të domosdoshme argumentin logjik, ajo paraqitet si shprehje e
një ndjesie mbi pamjen, figurën, formën objektive të soditjes estetike te gjithsecili”.
Këtë sentencë e përdora me qëllim për ta shpjeguar bukurinë jo vetëm të këngës shqipe, por edhe të një interpretueseje tek e cila bukuria e këngës shqipe vezullonte si kristal në qiellin e lartë në interpretimin, e këngëtares e mirënjohur Xhejlane Broqi, sepse interpretimi dhe loja e këngës së saj si narracion ndërthuret në disa elemente qenësore si janë intuita, refleksionet e timbrit melodik, baza ritmike e këngës, mistika e ëndrrës si prosede artistik dhe së fundi shikuar nga këndvështrimet e koncepteve të shumta estetike si janë ndijimet, imagjinata, përjetimet dhe të tjera, e që janë pjesë e paradigmave të kodit të metaforave të bukura siç dihet dhe siç thotë Kandinski se “Arti është përjetësisht i lirë”.
Xhejlane Broqi
Disa herë kemi theksuar se në fushën e arteve në mbarë trojet shqiptare kemi artistë të cilët me të drejtë me veprimtarinë e tyre të madhe artistike zënë vend nderi dhe të merituar në Panteonin e skenës muzikore mbarëkombëtare artistike. Kjo vlen natyrisht edhe për solisten Xhejlane Broqi, ajo ka qenë soliste e zhanrit të muzikës popullore qytetare e cila këngën e ka pasur vokacion dhe dashuri e që shprehej artistikisht me anë të vokalit të saj që e kishte ideal të një bote të saj të brendshme shpirtërore dhe e cila tërë jetën e saj ishte lidhur ngushtë me të, pra me këngën si sublim i të jetuarit artistik.
Ajo me talentin që kishte dhe zërin e saj si mezosoprane e cila më shumë anonte kah alti, ka kënduar me zë natyral ku ka pasur një vokal të shkëlqyer, një zë “pushkë” por të nuancuar dhe të definuar me një kulturë të lartë me një diksion të qartë dhe të pastër ku bukuria e timbrit delte në shesh si shprehja e vokalit natyror, sidomos në zërat e ulëta të saj dhe kështu për bukuri shkrihej në botën e saj shpirtëro e artistike , këtë e ka arritur falë talentin dhe shkollimit të zërit të saj te pedagogu i njohur në Fakultetin e Arteve në Prishtinë Profesori Trpkov.
Ndoshta shembullin që e kam cituar, mund mos të jetë i qëlluar, por unë e kam përjetuar si të atillë, sepse në repertorin e saj ka pasur mjaft këngë të shumë autorëve tanë dhe të huaj. Ka pasur mjaft koncerte gjatë karrierës së saj jo të vogël, por mua që më ka ngel si kujtim i pashlyer një interpretim i bukur i saj mu në kompozimit tim që paraqet edhe identitetin tim krijues që shtreson një semantikë të strukturës artistike timen ku poetika muzikore e diskursit ndërlidhet në mënyrë funksionale me tërë krijimtarinë time të më vonshme. Pra, fjala është për këngën “Zambaku i Prizrenit” , kompozuar enkas për solistin tonë po ashtu të shkëlqyer dhe të mirë njohur Ismet Peja i cili e realizoi në mënyrë mrekullueshme bashkë me Zef Tupecin ( vetëm si incizim) në duet e që është prezantuar dinjitetshëm në një festival prestigjioz të ish Jugosllavisë në vitet e gjashtëdhjeta.
Këndoi për mrekulli në vitin 1962 në një festival, i veshur me veshje kombëtare ngriti në këmbë mbi 20 000 shikues në Kalemegdan për mjedis të Beogradit, që ishte rast i veçantë që një këngëtar shqiptar të pritet aq mirë në një rreth ku nacionalizmi kulmonte në pikat më të larta të urrejtjes ndaj nesh dhe kombit tonë. Pra, me këtë këngë edhe u afirmuar jashtë Kosovës dhe krijoj një reputacion të madh si solistë i shkëlqyer.
Po këtë këngë e futën në repertorin e tyre edhe shumë këngëtar të njohur të Kosovës Esat Bicurri, LilijanaÇavolli dhe të Shqipërisë Parasqevi Simaku, por edhe kjo soliste për të cilën bëjmë fjalë e cila pos shumë këngëve nga repertori i Anita Takes, Paulina Nikaj,Vaçe Zela, Bik Ndoja, dhe këngë të shumë të tjerëve, Xhejlane Broqi këtë këndoi shumë e shumë herë në koncerte dhe manifestime të ndryshme e sidomos në turneu e Ansamblit kombëtarë “Shota” në Çekosllovaki, 1964, Francë, Belgjike, Zvicër në vitin 1965 e që ajo turne zgjati plotë tre muaj.
Ky ansambël me renome mbahet në mend se është i pari dhe i vetmi ansambël i folklorit deri tani që i është lejuar ta shfaq programin e vetë në Teatrin e njohur Maria Antoaneta në Versaj të Parisit me të gjitha ato ceremoni paraprake që zhvillohen para çdo shfaqjeje në këtë teatër. Mu këtu, kjo soliste e këndoj këtë këngë por ajo e prezantoi disi ndryshe ,bukur, qetë, shikuar nga observimet e interpretimit muzikor të ngrohtë, me ca ndërrime të veçanta të destinuara për ndërtimin e tërësisë së saj ku dimensioni lirik i këngës i nënshtrohej një poetike plotë figuracionesh, ku demonstronte tërë atë artin e saj interpretues si shprehje e botës së saj intime siç thotë Frojdi “Bota e artit është si bota e lojërave fëmijërore një botë e lindur nga fantazia…. kurse i rrituri nuk luan, por fantazon”.
Kështu edhe te Xhejlanja kemi hasur dhe përjetuar në një fantazi si lojë, por jo si katharsis. Bukuri universale poetike muzikore që krijon një kënaqësi dhe sa herë e dëgjoja këtë këngë në interpretimin e saj, kisha dëshirë që ta përsëriste si perpetum mobile, edhe pse këtë këngë e kanë interpretuar shumë këngëtarë Kosovarë dhe nga Shqipëria. Mirëpo interpretimi i saj kishte diçka hyjnore, na sillte freski, kurse në temperamentin e saj gufonte një elegancë ku më konsekuencën dhe koherencën lartësonte atë bukuri të këngës pa ia dëmtuar linjën melodike dhe këngën në tërësi.
T’i kthehemi këngëtares tonë dhe të shohim se si ajo me artin e saj të madh çfarë dha kontribut dha për njohjen e këngës tone të mrekullueshme shqipe bazuar në tabanin e folklorit tonë të begatshëm nga të gjitha aspekte, melodike, ritmike, estetike dhe artistike jo vetëm në trevat mbarë shqiptare por edhe në ato internacionale. Kjo këngëtare e mirënjohur u rrit dhe u zhvillua në kushtet e viteve të 60 dhjeta si nxënëse e Gjimnazit të Pejës dhe në rrethanat e atëhershme në dukje të mira, por në fakt mjaft të vështira, jo për vetëm për te, por për të gjithë ata që merreshin me aktivitete shoqërore, shkencore dhe artistike, me gjithë atë si shume shkencëtar, artistë edhe atë s’ mundë të ia ndalin hovin në aktivitetet e saja artistike, edhe pse, askush s’mund të dilte jashtë atyre kornizave të zymta, megjithatë, fal talentit, punës së madhe, guximit ia doli që të arrij optimalen-kulmin e artit interpretuese që bashkë me si motrat dhe vëllezërit solistë të tjerë po ashtu të njohur si janë Negjmje Pagarusha, Ismet Peja, Liliana Çavolli, Gongje Gashi, Ismet Koshutova, Shyqri Nimani, Muhamet Shala, Adem Ejupi dhe shumë të tjerë ishin jo vetëm shpresat tona të këngës shqipe, por edhe novator të interpretimeve moderne të muzikës sonë popullore dhe argëtuese si kohezioni koncepteve dhe bartës të një sfondi historik të sublimeve narrative të këngës sonë të bukur shqipe.
Pse i thamë të gjitha këto mendime të cilat i përkasin më shumë estetikës, artistikes si dhe shumë koncepteve filozofike, sepse mu interpretimi i saj dhe të këngëtarëve të tjerë të brezit të saj bazoheshin në këto elemente dhe kjo e tëre ka të bëjë me këngën shqipe dhe interpretimin e saj dhe mu për këtë dhe shumë elemente të tjera interpretuese ,ketë këngëtare dëgjuesit e kanë quajtur, pos tjerash, soliste e shkëlqyer dhe shpresa e këngës shqipe. Në garat “Mikrofoni është i Juaji”,1960 në Pejë ajo me interpretimin e saj të bukur të këngës ”Mora sot një letër”, zuri vendin e parë e ku Rexhai Surroi bashkë me ekipin e Radio Prishtinës ishin ideator, realizues dhe udhëheqës i këtij manifestimit të popullarizuar për atë kohë shumë i rëndësishëm.
Pra, nuk janë vetëm këto të thënë miradije për këtë soliste të mirë njohur, por ka edhe shumë të tjera, që do të i përmendim më vonë. Do të flasim për një moment krejt tjetër për bukurinë e qëllimtë që prapë sipas Kantit “….përbën gjykimin e shijes së estetikes në art”. Para se flasim për këtë moment të rëndësishëm të shpalosim Cv (Curriculum vitae) e saj mjaft te pasure që më së miri na flet për rrugën zhvillimore të kësaj artisteje.
Të rrallë janë ata kompozitor, solistë dhe muziktar në përgjithësi që janë të lidhur aq ngushtë dhe shpirtërisht jo vetëm me vendlindjen, por edhe me trevën e Kosovës siç është Xhejlane Broqi. Talenti si dhe personaliteti i saj artistik prej një këngëtare të suksesshme filloi që nga fëmijëria si përqasje jo e një botë fëmijërore, por edhe si dukje me realen e talentit të saj që premtonte shumë të cilën ajo me sukses e tregoi në periudhat e ardhshme të jetës së saj.
Ajo me pasion jo vetëm këndonte por edhe lunte me kitarë që e kishte me vete jo vetëm gjatë shkollimit të mesëm në Gjimnazin e Pejës , por edhe gjatë studimeve në Shkollën e Lartë Pedagogjike – grupi i muzikës, shok të pandarë jo vetëm nëpër koncerte por edhe nëpër ahengje me shok dhe shoqe të studimeve, sepse ajo e përcillte këngën e saj dhe tingëllonte si një orkestër kamere.
Ajo ka qenë e lindur për të u bërë këngëtare, sepse qysh herët u fut në botën magjike të tingujve muzikor, këtu, natyrisht, nuk kemi ndërmend të krijojmë aluzione të pa nevojshme, por duhet përkujtuar pas shkuarjes së saj në amshim kritiku muzikor Sami Pirraj, në gazetën “Rilindja” të datës 7 prill 1994 shkruan në vend të përkujtimit ”Soliste që ende i duhej këngës sonë dhe duke lënë një zbrazësi në muzikën shqiptare”.
Kjo soliste është ndër të parat që zëri i së cilës dëgjohej në valet e Radio Prishtinës, por edhe në koncerte anë e mbanë Kosovës. Ka lindur në Pejë në vitin 1943. Dëgjuesit e pasionuar të këngës sonë e njohin qysh herët si dueti Gashi-Broqi. Ka të incizuar shumë këngë popullore. Si soliste hapi rrugën me shpërblimin e parë në manifestimin muzikor “Mikrofoni është i juaji” qysh në vitin 1960 që u mbajt në Pejë dhenë qendra të ndryshme të Kosovës. Mori pjesë edhe në festivalin e ”Akordet muzikore të Kosovës” si dhe në shumë, manifestime të ish Jugosllavisë e më e rëndësishme ka qenë pjesëmarrja e saj në duet Gashi – Broqi, në festivalin e njohur të Folklorit në Sarajevë, 1964, pastaj pesë vjet ishte soliste e ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota”, ku pati rastin të prezantohej me shumë këngë shqipe në disa qendra të shteteve evropiane si Belgjikë, Çekosllovaki, Francë, Gjermani, Shqipëri etj. U prezantuar edhe në disa qendra të ish –Jugosllavisë kurse në baletin “Kënga e Rexhës”, interpretoi si soliste-këngën e njohur shqiptare “Çou, more Rexho” edhe në Garat internacionale në Bienalen e Baletit ku morri pjesë ansambli i baletit të Kosovës në Lubjanë.
Ka realizuar edhe disqe me këngë shqiptare, kurse para se të dëbohej nga puna nga shovinistët Serbe, punoi në Redaksinë e fëmijëve në televizionin e Prishtinës ku realizoi shumë emisione të suksesshme. Me këtë shkrim nuk kemi për qëllim të qesim në gjerësi aktivitetin e saj të madh artistik, por t’i përmendim ca më të rëndësishmet.
Kontributi i saj në fillim ishte në Gjimnazin e Pejës, si soliste e Shoqërisë kulturo artistike “Ramiz Sadiku” në Pejë, soliste e Radio Prishtinës, këngëtare e grupit të këngëtarëve dhe korit të Radio Prishtinës, soliste kryesore vite me radhë në Ansamblin e këngëve dhe të valleve “Shota”, dhe pjesëmarrëse në shumë
festivale kombëtare dhe ndërkombëtare këtu ajo qite në pah talentin, kurse shprehja e saj plotësisht përputhet me atë thënie të Pitagorës ”Nëse njeriu është vetë masë e dhuntive dhe cilësive etike” s’ ka se si mos të pleksej talenti i saj si reminishencat e saja anteike dhe kuptimore si figuracione estetike” e kur sesi si prirje merkantiliste (fitimpruese dhe afariste), por si proces i investigimit të shtigjeve të reja artistike, të transformimit, të ruajtjes dhe të prezantimit të vlerave të saja artistike.
Ishte edhe anëtare korit të njohur Collegium Cantorum”, e që ai aktivitet për te ishte si ndërthurej si shtrirje artistike që ishin shtyse e një aktiviteti dhe bashkëpunimi të madh me shumë ansamble dhe soliste të njohur, pra një zhvillim i tillë i mundësoi që ajo te jetë artiste me potencë të madhe deri ne kulm, sepse e kishte të qartë se tingulli muzikor hyn drejt në shpirt, si thotë Kandinski “”e ka pasur muzikën brenda vetes”.
Në nuk pretendojmë të flasim me objektivitet edhe pse ai nuk është paanësi, lirisht mund të themi se magjia e saj në interpretimin e këngës popullore qëndron dhe fshihet në shpirtin e saj, shpirtit që si thotë estetika moderne “talenti lind si domosdoshmëri i cili vegjeton mbi një terren të zbrazet…..ku artisti e plotëson me shtysën e talentit te vet”. Këtu pra qëndron talenti i saj dhe ajo si patëm thënë krye të artikullit, zbuluam “bukurinë e qëllimtë”, sepse kur e dëgjojmë këngën e interpretuar nga Gjejlane Broqi na zgjon emocione, të befason duke krijuar një univers te ri që vetëm artisti mund ta bëjë. Nuk duhet që në bazë të këtyre thënieve të nxjerrim përfundime. Ato vinë vetvetiu, sepse bukuria e interpretimit artistikisht shkëlqen, reflektohetsi art, pa iluzione, por shfaq një bote reale gjithë dritë me ngjyra vezulluese si produkt i një përsosmërie melodike, harmonike dhe
ritmike.
S’duhet pritur nga asnjë artist; që të na sjelli përjetime estetike po nuk patëm edhe ne imagjinatë për të i vërejtur dukuritë ato, por gjithsesi duhet pritur nga artistët e vërtet që të na sjelli me interpretimin ose me veprën e vet, bukurinë dhe vlerat tyre estetike dhe artistike dhe mu këtu qëndron edhe forca e artit si dhe forca e saj interpretuese e këngëve shqipe.
Nga aksepti aksiologjik që na sillte Xheki e që shumica edhe e njihnin me këtë nofke nga dashura ndaj saj, sikur ka krijuar me vokacionin e saj prej soliste te kultivuar një botë të veten artistike si përcaktimi i artit interpretues duke sublimuar tërë potencën me te cilën e shprehte pasurinë e pashtershme të un-it të vet artistik.

Current track

Title

Artist